Sfidat e Sfidantit.al nga Artan Shyti

Është, sigurisht, një kënaqësi të shohësh që një tjetër portal  që i dedikohet sportit është hapur. Dhe, në rastin e sfidantit.al, kjo kënaqësi është e veçantë.

Sepse po ruhet, në versionin online,  tradita simpatike e një gazete si Sfidanti Sportiv, e cila mes përpjekjesh e sakrificash të mikut Sinemati arriti të krijonte fizionominë e saj të spikatur, larg klisheve, me një këndvështrim origjinal e simpatik të bëmave e “gjëmave” të sportit shqiptar .

Në këtë version të ri  online sfidat e sfidantit.al mbeten të njëjtat.

Sfida ndaj një tregu që ndryshon në ritme marramendëse duke synuar të vijë tek ne nëpërmjet ekranit tashmë dhe jo letrës së gazetës, për të cilën  personalisht do të vazhdoj të kem preferencë e nostalgji.

Sfida për të ruajtur atë këndvështrim origjinal të sportit shqiptar duke fokusuar atë që ju shpëton të tjerëve por që kemi aq shumë nevojë ta shohim, edhe nëpërmjet syve e “penës” së një gazetarie ndryshe.

Sfida për të mbështetur zhvillimin e sportit në Shqipëri, duke zgjedhur mënyrën individuale e origjinale  të  dhënies së kontributit.

Sfida përballë arrogancës së atyre që nuk janë në sport për të kontribuar por për ta  shfrytëzuar.

Sfida përballë injorancës që mundohet të jetë argument…

Sfidanti në versionin e ri  ka shumë sfida përpara por, i mësuar në këto vite ti përballojë ato, me siguri, do tia dalë mbanë.

Suksese!