Klubi i Vllaznisë natyrisht e mbajti të fshehur, dhe u detyrua të dilte në “mejdan” vetëm kur gjithçka u mor vesh nga mediat. Kuqeblutë i paskan Tatimeve të shtetit shqiptar plot 23 milionë lekë të reja detyrim të papaguar, dhe po sipas mediave pritej të nisnin procedurat e falimentit. Dalja në dritë e administratorit Gjyrezi kishte të bënte vetëm me sqarimin se “jemi marrë vesh me tatimet për mënyrën e pagesës, ndaj Vllaznia nuk rrezikon falimentim”.
Asnjë fjalë për faktin sesi u arrit deri këtu. Presidenti i Flamurtarit, ndërkaq, ka kohë që ka vënë alarmin lidhur me mospagimin e tatimeve nga klubi në kohën kur e zotëronte Bashkia, veçse për rastin e Vlorës rreziku është i madh për zbritjen nga kategoria!
Duket se “puna me paratë” është një problem jo vetëm i një klubi në Superligë, por padyshim edhe në kategoritë më poshtë. Pas fushatës së qeverisë për pagimin e energjisë elektrike, më pas të tatimeve nga bizneset dhe të ujit të rrjedhshëm ndaj UKT-së, duket se duhet të ketë një fushatë edhe për tatimet në futboll. Jo vetëm kaq!
Përderisa bëhet fjalë shpesh për funksione publike, atëherë zyrtarët përgjegjës duhet të kalojnë në një “Veting” të futbollit, në mënyrë që të marrin ndëshkimin e merituar dhe të mos lejohen të emërohen në funksione të tilla.
Sfidanti.al