Me “emigrimin” e Kombëtares drejt Austrisë për fazën përgatitore përpara europianit, ka nisur edhe fushata mediatike për t’u treguar kundërshtarëve forcën tonë. Mediat në vend u bëjnë jehonë premtimeve të lojtarëve kuqezi në mediat ndërkombëtare, ndërsa nuk mund të mungonte edhe intervista e kreut të FSHF-së, Armand Duka për mediat italiane por edhe ajo dhënë gazetarit Berat Buzhala ku në njëfarë mënyre justifikon edhe “flirtin” me Serbinë për organizimin e Euro 2025. Pasi dha mendimin e tij modest rreth finales së Champions League, Duka u fokusua në Euro 2024 duke e cilësuar përballjen me Italinë si më të rëndësishmen e Kombëtares Shqiptare duke hedhur në koshin e harresës përballje edhe më delikate e me peshë si psh. ato me Gjermaninë Perëndimore, Belgjikën, Greqine apo Serbinë në Beograd.
Pak rëndësi ka kjo sepse tani është Italia dhe sigurisht “muri i kuq” me të cilin do t’u bëjmë ballë në fushën e lojës kampionëve të Europës. Sigurisht që tifozët shqiptarë janë krenaria jonë, e ekipit, e kombit por ata nuk mund të keqpërdoren në konferencë apo deklaratë drejtuesish sepse ata do të jenë aty falë sakrificave të tyre dhe jo sepse FSHF ua mundësoi këtë. Thënë kjo, Kombëtarja ka nevojë për mbështetjen pa kushte të tifozëve të saj, atyre që askush nuk i dëgjoi edhe kur dëshpërimisht kërkuan bileta në Tiranë për të ndjekur ndeshjet eleminatore ku tifozët VIP ishin me shumicë. Sot është koha të flasë fusha dhe sigurisht, tifozët në stadium me pasionin e tyre, por ndeshjet i fiton skuadra në fushë dhe trajneri që e drejton atë, jo deklaratat me doza të theksuara patriotizmi…
Nga Pirro Bardhyli