UEFA ndryshon formatin, a mundet që kjo ta ndihmojë Shqipërinë për në Botëror?!

Edi Reja e qau shpesh këtë moment. Humbja në “Arenën Air Albania” me Poloninë, pa llogaritur problemet me tifozët, ishte ndëshkimi fatal për kombëtaren shqiptare që dështoi në objektivin për të shkuar në plej ofin e Kupës së Botës. Me gjasë, shanset do t’i kemi më të mira për turneun e ardhshëm, atë të vitit 2026. UEFA ka ndryshuar formatin e eliminatoreve të Botërorit që do të zhvillohet në tre shtete, SHBA, Meksikë e Kanada, dhe ka shtuar numrin e grupeve. Në fazën kualifikuese do të ketë 12 grupe në vend të 10-të që ishin në turneun e Katarit, që do të kenë nga 4 ose pesë skuadra.

Kjo do të thotë se kombëtarja shqiptare ka më pak posibilitet për kundërshtarë të fortë, meqë do të ketë më shumë shpërndarje. Skuadrat e para në grupe kualifikohen direkt, ndërsa të dytat ose kualifikohen, ose shkojnë në plej of. Natyrisht, një plus është fakti që Botërori i ardhshëm do të ketë 48 skuadra finaliste, në vend të 32 që ishin vitin e kaluar, dhe nga kjo shtesë Europës i takojnë tre vende më shumë. Shqipëria ndërkaq nis në 27 mars eliminatoret e Europianit 2024, me ndeshjen e parë në fushën e Polonisë.

Sfidanti.al