Kthimi në shtëpi ishte shumë i shkurtër. Partizani pati vetëm pak seanca stërvitore në kompleksin e tij të ri në Tufinë të kryeqytetit, pasi ditën e nesërme do të niset për në Gjeogji, për sfidën e Ligës së Konferencës. Përballja është ndaj Saburtalos së Gjeorgjisë, dhe shqetësimi më i madh i trajnerit Dritan Mehmeti lidhet me largimet dhe afrimet e shumta të lojtarëve këtë verë. “E drejtë ajo që thoni, – u shpreh tekniku, – koha ka qenë e shkurtër për kaq shumë ndryshime. Kanë ardhur dhe kanë ikur lojtarë. Disa janë përshtatur, disa kanë nevojë për më shumë kohë, disa kanë pasur probleme dëmtimi. Gjithsesi, le të mos justifikohemi. Do të përpiqemi të bëjmë maksimumin”. Çfarë informacioni ka Mehmeti për kundërshtarin, dhe cili është me të vërtetë objektivi i të kuqve? “Saburtalo është ekip me lojtarë të talentuar dhe të rinj, – shpjegon ai, – ka lojtarë nga kombëtarja e Gjeorgjisë, por sidomos nga Shpresat. i kemi studiuar, do të përpiqemi t’i përshtatemi lojës së tyre, duam që të nderojmë veten dhe Partizanin”. Mehmeti thotë se e ka kristalizuar formacionin dhe po merret me automatizimin e veprimeve, ndërsa kapiteni Alban Hoxha nuk luan dot në ndeshjen e parë në portë, kurse Skuka ka një dëmtim, por nuk pritet ta pengojë.
Sfidanti.al