Ten Hag, shkarkimi çështje kohe

Te Bayer Leverkusen situata është ndezur që në fillim të sezonit. Vetëm pas dy javëve të para të Bundesligës, mediat gjermane më të besueshme raportojnë se drejtuesit e klubit po mendojnë seriozisht shkarkimin e trajnerit Erik ten Hag.

Sipas korrespondentit të Kicker, Stephan van Nocks, krerët e “Werkself” e konsiderojnë të dështuar eksperimentin me holandezin dhe janë gati ta ndërpresin bashkëpunimin. Humbja e turpshme ndaj Werder Bremen-it ka thelluar krizën dhe pas deklaratave të pas-ndeshjes, ku ten Hag kritikoi hapur menaxhimin e merkatos dhe strukturën e skuadrës, marrëdhënia mes tij dhe klubit duket e prishur.

As dhomat e zhveshjes nuk duken më pranë trajnerit. Kapiteni i ri i emëruar nga vetë ten Hag, Robert Andrich, kritikoi ashpër mungesën e kohezionit dhe shpirtit ekipor:

“Kjo nuk ka të bëjë me ndryshime lojtarësh apo me trazira, por me mënyrën se si luajmë në fushë. Secili mendon vetëm për veten. Nuk jemi skuadër.”

Ndërsa Ten Hag u shpreh se “skuadra është në ndryshim, me hierarki të reja dhe lojtarë që duhet të marrin përgjegjësi, gjë që nuk ndodhi”, fjalët e tij nuk gjetën mbështetje në zyrat e klubit.

Sipas burimeve pranë Leverkusenit, vendimi përfundimtar pritet të merret menjëherë pas mbylljes së merkatos së verës. Megjithatë, raportimet theksojnë se drejtuesit kanë “tashmë mendjen e ndarë” dhe largimi i Ten Hag duket vetëm çështje kohe.

sfidanti.al