Siguron promovimin në Superligë, ia del Prishtina e Re

Prishtina e Re ka arritur suksesin më të madh në historinë e klubit duke u inkuadruar për herë të parë në elitën e futbollit kosovar, AlbiMall Superligë. Ky sukses historik erdhi pas triumfit në Grupin B të Ligës së Parë, ku Prishtina e Re u shpall kampione pas fitores bindëse ndaj KF Kikës në xhiron e fundit të kampionatit, me rezultat 3:1, falë dy golave të Astrit Berishës dhe një Abdoul Razack. Skuadra nga kryeqyteti përfundoi kampionatin në pozitën e parë me 69 pikë, duke lënë pas Vushtrrinë në vendin e dytë me 67 pikë. Vendi i parë në grup siguron direkt ngjitjen në Superligë, ndërsa vendi i dytë siguron të drejtën për të luajtur në ndeshjen e barazhit për “play-off”-in e Superligës. Pas ndeshjes, kampionëve të Grupit B u janë ndarë medaljet dhe trofeu nga anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, Ismajl Ajeti dhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama. Ndërkohë, pas përfundimit të të gjitha ndeshjeve në Ligën e Parë, janë përcaktuar edhe skuadrat që do të përballen në ndeshjen e barazhit për “play-off”-in e Superligës. Liria, si nënkampione e Grupit A, do të përballet me Vushtrrinë, nënkampione të Grupit B, më 24 maj në stadiumin “18 Qershori” në Klinë.

sfidanti.al