Heroi numër 1 ishte një brazilian. Gabriel Zhezus, i kthyer së fundmi nga dëmtimi, shënoi dy gola për Arsenalin në fitoren 4-1 kundër Lids Junajtidit, veçse pati edhe protagonistë të tjerë. Suksesi që forcoi edhe më tej pozitat e londinezëve në krye të Premier Ligës u arrit edhe falë golave të shënuar nga Ben Uajt dhe Granit Xhaka. Pikërisht kapiteni i Zvicrës po bie në sy këtë sezon më shumë se kurdoherë tjetër. Mesfushori me origjinë shqiptare nga Kosova realizoi për të pestën herë në kampionat dhe mund të thuhet se ka arritur kulmin e formës.
Ky është sezoni më i mirë i Xhakës me 5 gola e 5 asistë në 29 ndeshje, ndërsa në të kaluarën kishte arritur maksimumi 4 gola e 2 asistë në 2018-2019. Ai po i afrohet 300 ndeshjeve dhe ka 21 gola e 27 asistë gjithsej. Shqiptaro-zvicerani është me “topçinjtë” që nga viti 2016 dhe më në fund duket se do ta ketë një shpërblim, pasi Arsenali po i afrohet titullit. Ekipi i trajnerit Mikel Arteta ka 72 pikë në 29 ndeshje, ndërsa Siti e ndjek me 64, por me një ndeshje më pak të luajtur.
Sfidanti.al