Gafa e Monzës ishte vetëm e fundit në radhë, edhe pse mund të jetë më e kushtueshmja për këtë vit. Gjithsesi, ka dy sezone që Sebastian Fetel po bën gabime dhe po i dhuron pikë Ljuis Hamiltonit, ndërsa rrezikon ta humbasë përsëri garën për titullin kampion në Formula 1.
Në 2017, në Çmimin e Madh të Azerbajxhanit, Fetel u dënua me 10 sekonda vonesë, duke qenë i detyruar të shkonte në “bokse”. Kjo pasi reagoi keq kur Hamilton ngadalësoi Mercedesin, kur ishin me makinën e sigurisë përpara tyre.
Po atë vit, në Singapor, Fetel u përpoq të mbrohej nga Verstapeni, ndërsa kryesonte garën, por shkaktoi një përplasje treshe, së bashku me shokun e tij të Ferrarit, Raikonen, duke dalë që të tre nga gara. Askush nuk u nxorr fajtor, por nxitimi bëri që Fetel të humbiste 25 pikë që i kushtuan në fund.
Në Kinë në 2018, Fetel “u ngatërrua” me Verstapenin, që e goditi dhe e nxorri nga pista, duke e detyruar të dilte në vend të 8-të. Gabimi i radhës ishte këtë vit në Baku, ku u përpoq të kalonte Botasin që kryesonte, por dëmtoi makinën nga frenimi i fortë, duke dalë vetëm i katërti.
Në Austri, Fetel gaboi në provat zyrtare duke dëmtuar xhiron e Sainzit, ndaj u dënua me 3 vende në nisje. Të dyja makinat Mercedes u tërhoqën nga gara, por gjermani doli vetëm në vend të tretë. Në Francë, Fetel u përpoq të kalonte Botasin, duke e goditur, por duke u dëmtuar edhe për vete. Ndërroi “hundën” e makinës dhe u dënua me 5 sekonda.
Në Hokenhajm, Fetel u përpoq të fitonte për herë të parë në karrierë, dhe kryesonte ndaj Hamiltonit. Gjithsesi, në kushte lagështie ai nuk u mbrojt dot mirë, duke dalë fare nga gara. Nëse nuk do të kishte bërë gjithë këto gabime, gjermani mund të ishte tani 50 pikë para Hamiltonit, jo 30 pikë prapa, ndërsa vitin e kaluar mund ta kishte fituar titullin me 1 pikë epërsi, ndërsa e humbi me -46 pikë.
Sfidanti.al