Sane dhe Pavar janë kthyer, por Bajernin e ka marrë malli për Tiagon!

Këtë nuk e thotë Hansi Fliku, dhe as Rumenige, Kahni apo Salihamixhiçi. Edhe nëse e mendojnë, ata nuk mund ta shprehin këtë dëshirë për mesfushorin katalanas që u largua me vullnetin e tij verën e kaluar tek Liverpuli. Në këto kohë të stuhishme për Bajernin, është një opinionist që shkruan për “Sport Bildin”, Raimund Himko, që thekson se bavarezët kanë nevojë për kthimin e Tiago Alkantarës. Katalanasi e ndihmonte shumë skuadrën me qetësinë e artit të tij të pasimeve, duke hequr një barrë nga shpina e Kimihut apo Goreckës, dhe sidomos të mbrojtjes me Boatengun e Zylen. Nuk dihet nëse Tiago do të kthehet (Bajerni do t’ia kthente me qejf Liverpulit 22 milionë eurot “idiote” që u deshën për kartonin e tij, siç shkruan Himko), por gjithsesi analisti thekson disa dukuri pozitive. Leroi Sane më në fund po e kupton se çfarë është futbolli, pra pasi humbi “trenin Man. Siti” po bëhet një lojtar i vërtet për Bajernin. Kanë ikur kohët kur Hansi Flik e hidhte në fushë dhe pastaj e nxirrte me ceremoni pa kaluar shumë minuta. Po ashtu, Pavar po kthehet ai kampioni i botës që e njohin të gjithë. Ditë më të mira po vijnë për Bajernin, por nëse do të ishte edhe Tiago, gjithçka do të ishte si vjet.

Sfidanti.al