Salah në truallin e Profetit! Sauditët i japin një copë tokë të Mekës!

Në 1998, lojtarët e kombëtares së Francës, kampionë të botës, skandalizuan planetin duke u ngjitur në majë të tavolinës së personaliteteve me trofeun e Botërorit, duke festuar e duke e shkelur me këmbë, nën sytë e presidentit Zhak Shirak. Ishte momenti kur u kuptua se rëndësia e futbollit ishte bërë aq e madhe saqë edhe politika duhej ta merrte me të mirë.

Së fundi, edhe një besim tradicionalisht konservator si feja myslimane vendosi ta vlerësonte lart sportin më të përhapur të botës. Mediat në Lindjen e Mesme njoftuan se Arabia Saudite do ta shpërblejë Mohamed Salahun, duke i dhënë një copë truall nga toka e Profetit, në Mekë. Kjo, pasi sulmuesi u shpall Lojtari më i mirë i sezonit në Premier Ligën angleze, i pari egjiptian që ia del.

“Ka disa mënyra për ta bërë këtë, – tha nënkryetari i bashkisë së Mekës, Fahd Al-Rouki, – kjo do të vendoset nga vetë Salah dhe nga sistemi saudit. Nëse nuk do të jetë e mundur të jepet toka, atëherë do të ketë një xhami për nder të tij. Kjo, pasi Salah e feston çdo gol me një lutje myslimane, duke vendosur ballin në fushë”.

Sfidanti.al