Rokadë për Zidanin, Bejl mbetet jashtë, por kthehet Varan!

Garet Bejl humbet tri javët më të rëndësishme të këtij sezoni. Pikërisht në fundin e tij, ylli uellsian detyrohet të kthehet në “infermieri” për të rifilluar rikuperimin nga një tjetër dëmtim. Mallkim i vërtetë për lojtarin e klasit, i cili nuk përballoi dot veçse disa minuta ndaj Barcelonës, kur sapo ishte kthyer nga një lëndim i mëparshëm. Trajneri Zidan nuk do ta ketë Bejlin në 6 ndeshje tepër të rëndësishme dhe thuajse përfundimtare të sezonit. Sulmuesi nuk do të mundë të luajë në 4 nga 5 ndeshjet e mbetura në La Liga (Deportivo, Valencia, Granada, Sevilja), si dhe në dy gjysmëfinalet e Championsit ndaj Atletikos.

Goditje vërtet e rëndë për “los blankosit”, sidomos pas humbjes me Barcelonën në kampionat. Gjithsesi, lajm i mirë për Zidanin është rikthimi i mbrojtësit Rafael Varan, pikërisht në ndeshjen e mesjavës në fushën e Deportivos. Francezi është i mirëpritur pasi do të zëvendësojë (nëse luan nga minuta e parë), kapitenin Sergio Ramos që u dënua me një ndeshje pezullim pas kartoni të kuq ndaj Barçës.

Sfidanti.al