Jo më kot tek Barcelona ishin pesimistë, dhe tani duhet të jenë të palumtur që parashikimin e patën të saktë. Reali i Madridit është skuadra me më shumë shanse për të fituar titullin në La Liga, pas fitores 2-1 në fushën e vështirë të Sociedadit, sukses që i ngjit në krye falë bilancit pozitiv në ndeshjet direkte me katalanasit. Nën drejtimin e trajnerit Zinedin Zidan, “los blankosit” po i afrohen titullit të dytë me francezin, duke synuar t’i japin fund serisë së Barçës me dy suksese radhazi. Ramos shënoi me 11-metërsh në 50’, dhe Karim Benzema shtoi të dytin në 70’. Merino shkurtoi diferencën për baskët në 83’. Reali e Barcelona kanë nga 65 pikë, “blaugranët” kanë golaverazh më të mirë, por Reali ka një fitore e një barazim në sfidat direkte.
Kjo ngjitje në krye erdhi bashkë me rekordin e kapitenit Sergio Ramos, që u bë mbrojtësi me më shumë gola në historinë e La Ligës. Deri para ndeshjes në “Anoeta” rekordin e kishte bashkë me Ronald Kumanin e Barcelonës, pra mund të thuhet se pati një parakalim të dyfishtë nga Madridi ndaj katalanasve. Ramos ka 68 gola, ndërsa Kumani kishte 67. Edhe më shumë vlerë ka fakti se holandezi kishte shënuar 46 nga 67 golat e tij me penallti, ndërsa qendërmbrojtësit spanjoll i janë dashur vetëm 12 penallti. Në të vërtetë, mbrojtësi me më shumë gola në historinë e La Ligës është Fernando Hierro me 105 rrjeta, veçse vetëm 51 i shënoi si mbrojtës, pasi 54 i kishte realizuar kur kishte luajtur si mesfushor.
Sfidanti.al