Rasti “Hazar”, projekti “galaktik” i Perezit vazhdon të torturojë Realin!

Në fillim të viteve 2000 ndodhi një dështim sportiv, krah për krah me një sukses financiar. Florentino Perez u detyrua të jepte dorëheqjen si president i Realit të Madridit pasi politika e tij “Zidanë dhe Pavonë” përfundoi me katastrofë në fushën e lojës. Ishte filozofia e “galaktikëve”, dhe ky projekt nuk është fshirë kurrë nga mendja e bosit madrilen, të rikthyer me sukses prej disa vitesh.

Eden Hazar është në pozita të sigurta për të ndjekur shembullin e yjeve të viteve 2000 si Zidan, Figo, Ronaldo, Roberto Karlos apo Bekam, për të cilët u investuan “qimet e kokës”, por që fituan gjithsej një titull kampion dhe një Champions. Hazar po luan sezonin e dytë në Madrid, pasi u mor nga Çelsi për rreth 150 milionë paundë stërlina, që do të thotë rreth 170 milionë euro, por paraqitjet e tij kanë qenë tepër poshtë pritshmërive, plus që edhe është dëmtuar shpesh. Tek Reali po e humbin durimin me të, por duan edhe që të tregohen të matur për të mos krijuar një tjetër rast “Bejl”. Gjithsesi, ndryshe nga Hazari, Bejli dha shumë kontribut për “merengesit” duke shënuar gola të rëndësishëm e duke i udhëhequr në Champions, ndërsa thjesht i iku pasioni për futbollin dalë nga dalë.

Sfidanti.al