Pa bilance, pa transparencë, por duam të jemi si Gjermania

Rreth 15 vjet më parë, katër gjyqtarë futbolli i shkruan letër Federatës Gjermane mbi dyshimet që kishin për një kolegun e tyre. Ishte një fillesë që bëri të dilte në dritë një nga skandalet më të mëdhenj në atë vend, skandalin e lidhur me emrin e gjyqtarit Robert Hojcer.

Ne jetojmë në një vend ku katër gjyqtarë futbolli as nuk mund ta çojnë në ëndrrën më të thellë që të shkruajnë letër në FSHF për dyshime ndaj një kolegu, dhe po ashtu ne që merremi  me futbollin as që mund të mendojmë se mund të ketë ndonjë hetim për të qenë nga Federata, apo një bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme. Në një vend ku kanabisi u rrit, u korr e u shit, pa u marrë vesh se kush ishin pronarët, aq më pak mund të priten histori të bukura nga sporti.

Po kështu, edhe për trukimin e ndeshjeve. Në futbollin shqiptar askush nuk di saktësisht se çfarë buxheti kanë klubet, nuk ka transparencë financiare për të ardhurat dhe shpenzimet për rrogat apo gjëra të tjera. Kjo është sikur një familje të mos dinte sesa para hyjnë e dalin në të, dhe në këto kushte, edhe nëse familja do të ishte milionere, nuk do të bënte “hajër”.

Në skandalin gjerman që përmendëm më lart, klubi i Hamburgut u dëmshpërblye nga Federata me 2 milionë euro për dëmin që iu shkaktua duke e eleminuar pa të drejtë nga Kupa, por kjo ndodh në vende ku ka bilance, pra ku dihet edhe sesa humbet, përveçse sesa fiton.

A mund të habitet njeri që presidentët, shefat e klubeve, futbollistët apo trajnerët merren me trukim ndeshjesh? As që bëhet fjalë, pasi deri më sot nuk ka pasur kurrë një bashkëpunim mes FSHF-së dhe organeve kompetente (polici, prokurori) për të hetuar apo për të zbuluar. Përgjigja nga Federata ka qenë gjithnjë se “nuk dyshojmë, gabimet janë njerëzore”, por kjo është njëlloj sikur të mos “ruash vreshtin”, duke gjykuar se vjedhje nuk mund të ketë kurrë.

Dhe ku është kjo siguri? Në Shqipëri, ku për vite me radhë dihej nga i madh e i vogël sesi do të dilte “filan” apo “fistek” ndeshje në kampionat apo edhe në kupat e Europës!

Sfidanti.al