Ore Roshi, ç’ke që je mërzitur dhe pse e kundërshton trajnerin?!

Pas kthimit nga Bjellorusia, dhe dy ditë para duelit me Lituaninë në Tiranë, lojtarët e kombëtares Bekim Balaj e Odise Roshi dolën në konferencë para gazetarëve. Ndërsa vlerësuan fitoren si nisjen e duhur për Ligën e Kombeve, dhe pasi hodhën vështrimin nga sfida e radhës, që tani është e vetmja që vlen, dy lojtarët ishin më të ndryshëm në komentimin e faktit se u lanë në stol në Minsk. Balaj nuk bëri ndonjë protestë, as Roshi nuk foli haptaz kundër vendimit të trajnerit, por duket se u nervozua kur u pyet për faktin se përse nuk luan në pozicionin e tij natyral, dhe përse nuk luan në formacion.

“Është e njëjta pyetje që më bëni çdo muaj, përherë kjo, – tha ai, – e them se çdo lojtar dëshiron të jetë titullar, edhe unë dua që të jem titullar, por vendos trajneri”. Përtej bezdisë së hapur që pati Roshi, ai dha edhe një përgjigje tjetër që shkoi në kundërshtim me vlerësimin e trajnerit Edi Reja. Ky i fundit kishte vërejtur se ekipi ishte dobët fizikisht, dhe se ra shumë pas pushimit, derisa u futën Roshi e Balaj. “Përderisa fituam 2-0 ekipi ishte mirë fizikisht, – u shpreh Roshi, – kjo ndodhi ndaj Bjellorusisë që i kishte të gjithë lojtarët dhe që nuk ka pasur ndërprerje futbolli. Rëndësi ka fitorja, nëse fiton je në rregull”.

Sfidanti.al