Duhet të presim sezonin e ardhshëm që të mundë të ndodhë. Vlera e kartonit të Myrto Uzunit do të arrinte në 25 milionë euro nëse Granada do të realizojë ngjitjen në elitën e futbollit spanjoll. Mediat iberike njoftojnë se klubi e ka përcaktuar një vlerë të tillë në një klauzolë të kontratës së re me sulmuesin shqiptar, të firmosur pak kohë më parë. Shanset nuk janë aspak të këqija sepse Granada ndodhet në vend të 5-ët në Ligën e Dytë, por fare pranë të parëve. Kjo do të thotë se nëse ekipi i Uzunit ndodhet në La Ligë, çdo klub i interesuar për të do të duhet të paguajë 25 milionë, që do të ishte shifra e tyre për transferimin e një futbollisti shqiptar, pas Marash Kumbullës të cilin Roma e mori për 26.5 milionë euro nga Verona.
Për momentin, ndërsa Granada është në ligën e dytë, vlera e kartonit të sulmuesit kuqezi arrin në 12 milionë euro për këtë ligë, dhe 18 milionë euro për La Ligën. Rritja e tij ka qenë vërtet meteorike pasi klubi spanjoll pagoi vetëm 4 milionë euro kur e mori nga Ferencvaroshi janarin e vitit të kaluar. Natyrisht, kjo nuk ka ndodhur pa arsye sepse këtë sezon ai ka realizuar një shpërthim të vërtetë duke shënuar 15 gola për Granadën në kampionat, e duke qenë në vendin e parë të renditjes së Këpucës së Artë. Me gjasë, deri në fund të edicionit mund të arrijë deri në 20 apo 25 gola.
Sfidanti.al