Mbrojtësi shqiptar që luan te Arsenali, Shkodran Mustafi, ka bërë të ditur se nuk i pëlqen të humbasë as në një ndeshje të thjeshtë kontrolli, gjatë seancave stërvitore. “Jo, jo, nuk më pëlqen të humbas edhe nëse është vetëm trajnim”, ka shkruar Mustafi në Facebook, duke pasur kështu parasysh takimin e sotëm në Champions League, kundër Baselit të Taulant Xhakës. Në fakt, për “Topçinjtë” e Londrës, kjo përballje është shumë e rëndësishme, pavarësisht se anglezët tashmë e kanë siguruar një biletë për në fazën me eleminim direkt, pasi ata janë ende në garë për vendin e parë në grup, me francezët e PSG-së.
Ndërkohë që për Bazelin, kjo është një ndeshje jetike për të vazhduar aventurën europiane. Kampionëve të Zvicrës i duhet një fitore në mbrëmje, për të fituar të drejtën e transferimit në Europa League, por edhe nëse arrijnë maksimumin e pikëve, duhet të presin rezultatin e ndeshjes Ludogorets – PSG, pasi edhe bullgarët gjenden në kuotën e 2 pikëve. Ndërsa duke parë diferencat në cilësi midis skuadrave, shtypi ka ironizuar, duke theksuar se Taulantit i nevojitet edhe një ndihmë nga i vëllai Graniti, i cili luan për skuadrën e Venger, por një gjë e tillë ka shumë pak gjasa të ndodhë.