MotoGP, Jorge Martin do të niset i pari në Çmimin e Madh të Katarit

Jorge Martin do të startojë nga “Pole Position” në Garën Sprint dhe në Çmimin e Madh të Katarit, në etapën e parë të Kampionatit Botëror të MotoGP 2024. Spanjolli i ekipit Ducati Pramac, zëvendës kampion në fuqi, mbylli kualifikimet me kohën rekord 1’50” 789, duke mbajtur pas tij Aprilian e Aleix Espargaro (+0”083) dhe Ducati zyrtar të Enea Bastianinit (+0”086), të cilët do të startojnë me të në rreshtin e parë. Dy herë kampioni i botës Pecco Bagnaia do të niset nga rreshti i dytë, pasi u rendit i 5-ti, pas KTM-së së Binder (i 4-ti). Gjithashtu në rreshtin e dytë do të jetë edhe Marc Marquez (i 6-ti), duke bërë debutimin e tij zyrtar në Ducatin e skuadrës Gresini. Gara e parë sezonale e Kampionatit Botëror të MotoGP 2024 do të zhvillohet nesër në orën 18:00 në Katar, ndërsa sot në orën 17:00 do të zhvillohet “Gara Sprint”.

sfidanti.al