U bënë shumë kohë që nga suksesi i fundit. Juventusi ka katër ndeshje pa fitore në Serinë A, ndërsa ka vetëm një tripikësh në 6 sfida radhazi, përfshi Kupën e Italisë dhe Ligën e Europës. Barazimi 1-1 në fushën e Bolonjës krijoi jo vetëm pakënaqësi, por solli edhe kritika të forta nga mediat sportive. “Juventusi ka harruar sesi fitohet, – kritikon “Tutosporti” i Torinos, – vetëm 1-1 në Bolonjë pas tri humbjeve radhazi!” “Miliku shpëton Juventusin me Bolonjën pas penalltisë-horror, – shkruan “La Gazeta delo Sporti”, – probleme me monitorin e VAR-it!” Me këtë rezultat rrezikohet kualifikimi për në Champions sezonin e ardhshëm, ndonëse “Zonja e Vjetër” mbetet në vend të tretë. Sidoqoftë, Interi, Roma dhe Milani tani janë vetëm tri pikë larg, pra në distancë të një fitoreje kur duhen edhe 6 javë deri në përfundim të sezonit. Trajneri Alegri gjithsesi u përpoq ta shihte gotën gjysmë plot duke thënë se një javë më parë një ndeshje e tillë do të ishte humbur, ndaj edhe Juventusi duhet të i kënaqur që iu afrua Lacios me një pikë.
Sfidanti.al