Mbyllet hetimi kundër Manchester City

Seanca e gjatë dhe shumë e pritur për Manchester City, për 115 shkelje të rregullave të Premier League, ka përfunduar sot, sipas disa mediave lokale, por vendimi nuk pritet para vitit 2025. Sipas Daily Mail, argumentet përfundimtare të çështjes, e cila filloi më 16 shtator në Qendrën Ndërkombëtare të Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve në Londër, u paraqitën të premten e kaluar para një komisioni të pavarur. City mohon kategorikisht çdo shkelje, por rrezikon ndëshkime të rënda nëse shpallet fajtor. Ndër dënimet e mundshme është edhe zbritja në Championship (kategoria e dytë angleze). Gjatë sezonit të kaluar, Everton dhe Nottingham Forest pësuan zbritje pikësh për shkelje të rregullave të fitimit dhe qëndrueshmërisë financiare të kampionatit. Kampionët e Anglisë akuzohen për 80 shkelje të rregullave financiare midis viteve 2009 dhe 2018, si dhe për 35 shkelje të tjera për mungesë bashkëpunimi në një hetim të Premier League. Që nga blerja e klubit në vitin 2008 nga Sheikh Mansour, anëtar i familjes mbretërore të Emirateve të Bashkuara Arabe, City është shndërruar në një forcë dominuese në futbollin anglez. Klubi ka fituar tetë nga 13 titujt e fundit të Premier League, duke përfshirë një rekord prej katër kampionateve radhazi në katër sezonet e fundit. City gjithashtu fitoi Ligën e Kampionëve në vitin 2023, duke mposhtur Interin në finale. Megjithatë, këto arritje janë njollosur nga polemikat, pasi tifozët kundërshtarë shpesh kanë bërë referime ndaj akuzave me të cilat përballet klubi. City ka mohuar gjithmonë akuzat dhe ka premtuar të pastrojë emrin e tij. Premier League ngriti akuzat në shkurt 2023, por ka pasur një pritje të gjatë për shqyrtimin e çështjes nga një komision i pavarur. City akuzohet për mosdhënien e informacionit të saktë financiar midis viteve 2009 dhe 2018, përfshirë të ardhurat nga sponsorët dhe detajet e pagave të drejtuesve dhe lojtarëve. Akuza të tjera lidhen me shkeljen e rregullave të qëndrueshmërisë financiare të UEFA-s dhe Premier League. Edhe nëse City shpallet fajtor për disa ose të gjitha akuzat nga komisioni, klubi mund të paraqesë apel, gjë që do të shtyjë edhe më shumë zbatimin e ndonjë sanksioni të mundshëm.

sfidanti.al