Kishte kaluar kaq shumë kohë që nga 28 gushti “i mallkuar” kur pësoi lëndimin serioz. Berat Gjimshitit iu desh të priste 56 ditë që të kthehej aty ku i pëlqen që të jetë, në fushën e blertë. Mbrojtësi i kombëtares shqiptare e bëri hapin e rëndësishëm duke hyrë në terren në minutën e 46-të, pra në nisje të pjesës së dytë, të ndeshjes së Serisë A mes Atalantës dhe Lacios. Ai nuk mundi ta ndryshonte fatin e sfidës, fituar 2-0 nga kryeqytetasit që kishin kaluar në epërsi që në 10-të me anë të Zakanjës, dhe që dyfishuan shifrat në 52-të me anë të Felipe Andersonit. Humbja ishte goditje e rëndë për shpresat e bergamaskëve për titullin apo zonën Champions, por ishte e merituar siç e pranoi edhe trajneri Gasperini.
Sfidanti.al