Xhelal Mziut i kanë vënë nofka të ndryshe, një herë orakulli për shkak të precizionit në parashikimin e pazareve ( ndeshjeve), një herë e kanë pagëzuar tradhëtari, për shkak se zbuloi publikisht si janë lidhur ndeshjet me fijet zyrtare, ca të tjerë e snobonin si manjaku i emrave të rrugëve në qytetin e Kamzës, ku janë gjithë emrat e botës, dhe mungon vetëm emri i “mbretit” të futbollit tonë. Një gjë është e vërtetë, Xhelali, deri në javën e fundit të kampionatit, të atij kampionati që mburret me artin e shplarë të dallaverit, po bën lojën e tij , e cila ka tërhequr më shumë tifozë se sa kanë vetë ndeshjet “dramatike”.
Kur Kamza e tij, krejt papritur , ka humbur edhe ndeshjen e jetës me Laçin , në një 90 minutësh që nuk pati vetëm shpjegime teknike, por edhe politike, Xhelali është bërë gati për aktin e fundit të dekonspirimit. E bukura është se Mziu i bën thirrje për lojë nderi Skënderbeut kur të luajë me Vllazninë, pra të luajë me burra dhe jo me kalamaj, por thirrja e tij duket sikur nuk mbërrin tek porta e Partizanit, me të cilin do të mbyllin hesapin e madh të këtij sezoni.
“E kam thënë dhe herë të tjera, që Laçi është bërë promotor i aritmetikës në kampionat. Sa herë që luan Kamza, gjyqtari ndryshon 2 herë brenda natës. Vendoset një gjyqtar që bën atë që i thotë federata. Është normale që një skuadër pëson gol. Idrizaj ishte në formacion, në nxehmje pësoi dëmtim, dhe u fut një lojtar i ri, pa nxehmje. Ai bëri një gabim, dhe Laçi përfitoi. Gjatë gjithë ndeshjes, arbitri ishte në favor të Laçit. 3 ndaj futbollistët e Kamzës, nuk do luajnë ndeshjen tjetër, prej dëmtimeve nga ndërhyrjet brutale të lojtarëve të Laçit. Presioni psikologjik ishte shumë i madh. Edhe media e kishte kaluar topin e presionit te Kamza. Dua të them se jemi të bindur që Kamza do mbijetojë, nëse luhet futboll. Jam i bindur që Kamza nuk del pa pikë me Partizanin. Nuk ka asnjë shans që Vllaznia të fitojë në Korçë. Uroj që Skënderbeu të mos bëjë si me Teutën, duke lozur me ekipin e dytë. Në disa ndeshje që ka bërë tani në fund të kampionatit, po legjitimon një akuzë që është bërë. Është e pa pranueshme që të luash me ekipin rezervë, dhe të përdorësh vetëm Souenë që të fitojë Këpucën e Artë. Uroj që Skënderbeu të luajë si me skuadrat e tjera. Besoj se nuk ka asnjë shans që Kamza të bjerë nga Superliga”