Kur lindi Mbape, Bufoni kishte luajtur mësë 100 ndeshje me Parmën!

Futbolli përmban në vetvete, mjaft histori interesante, larje hesapesh, bashkon breza të ndryshëm…, por, megjithatë, shorti i sotëm për gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve, veç asaj që vuri përballë Juventusin dhe Monakon, solli edhe një përplasje të ardhshme shumë të veçantë mes Xhanluixhi Bufonit të madh dhe vunderkindit (fëmijës çudibërës), Kilian Mbape. Xhixhi ka më shumë se 20 vite në skenën e madhe të futbollit, aq vite sa nuk ka ylli i ri i Monakos që, me ndeshjet që ka zhvilluar, ka treguar se e ardhmja para tij është e shndritshme. Sesa i magjishëm mund të jetë futbolli, e tregon edhe informacioni se, kur ka lindur Mbape, kapiteni aktual i Juves e kishte veshur bluzën e Parmës 108 herë, madje, në ekipin e parë të saj. Kiliani është lindur më 20.12.1998, ndërkohë që Bufoni ka debutuar më 1995, ndërsa, më 1996, zuri vendin e portierit kryesor në ekipin e Parmës. Xhixhi shumë mirë mund të kishte qenë babai i Kilianit, por ku ka qenë ky i fundit, kur Xhixhi nisi që të ndërtonte karrierën e tij? Me siguri, as që ka qenë në plan që të lindte!

Sfidanti.al