“Kur nuk mjafton as Mesi”, ishte një titull i gazetës “Marka”. “Në “Anfild” vetëm raste”, ishte komenti i “La Gazeta delo Sportit”. Liga e Kampionëve vendosi t’i linte për në mars përgjigjet se kush do të kualifikohet në dy çiftet e forta të turit të dytë, ku spikat më shumë Liverpul-Bajern. Bavarezët dolën “gjallë” nga “Anfildi”, duke qarkulluar topin e qetësuar lojën, por edhe duke pasur fat për rastet e humbura nga anglezët.
Salah, Mane dhe Firmino nuk patën frymëzimin e zakonshëm, po ashtu Matip humbi gol të sigurt, ndërsa bavarezët patën edhe ata ndonjë mundësi e mund ta kishin shënuar ndonjë gol.
Trajneri i Liverpulit, Jurgen Klop, ishte shumë i shqetësuar për mungesën e tre qendërmbrojtësve kryesorë, Van Dajk, Gomez e Lovren, por ia doli të mos pësonte, me një dyshe të “sajuar”, të përbërë nga Zhoel Matip dhe mesfushori Fabinjo. Ata ia dolën shumë mirë.
Në krahun tjetër, Bajerni nuk pati Tomas Mylerin, por pjesa tjetër ishte në fushë. Gnabri, Koman e Tiago u përpoqën shumë, po ashtu Kimih, Humels apo Zyle. Gjuajtjet drejt portës ishin të shumta, mbi 20, por Liverpuli e gjeti kuadratin vetëm tri herë, dhe Bajerni thjesht një herë. Gjermanët kanë tani më shumë shanse për kualifikim, në duelin e 13 marsit në “Alianc Arena”.
Në Lion, Barcelona sërish nuk bindi, edhe pse mori një barazim të vlefshëm, 0-0. Katalanasit provuan shumë, lëshuan plot 25 gjuajtje drejt portës vendase, por pa rezultat. Kampionët e Spanjës ishin padyshim skuadra më e mirë në fushë, dhe kërkoi ta fitonte ndeshjen, por pa forcën dhe idetë e duhura në metrat e fundit. Gjithsesi, edhe Lioni rrezikoi jo pak, duke qenë ekip tepër ofensiv. Goditi shtyllën dhe pati gjithashtu ndonjë mundësi të mirë, edhe pse më pak se miqtë.
Për Barçën, Luis Suarez mund të kritikohet më shumë se të tjerët, ndërsa Lionel Mesi nuk ishte ai i zakonshmi, ndonëse u përpoq të bënte gjithçka, pasime, depërtime, gjuajtje, organizim loje.
Sfidanti.al