Nuk arrin të dalë nga vorbulla e rezultateve jo shumë pozitive Kosova që dorëzohet keqazi në Prishtinë përballë Rumanisë. 3-0 fituan miqtë në derbin e Ballkanit por më shqetësues se rezultati është loja që propozon skuadra e Fodas. Me shumë yje në ekip, trajneri austriak nuk është në gjendje të krijojë ende një grup të suksesshëm dhe ky është një problem i madh në Kosovë ku me parë as Giresse apo ndosnjë tjetër nuk arritën të gjejnë formulën e duhur. “Dardanët” e nisën mirë sfidën, por me kalimin e minutave rumunët arritën të marrin lojën nën kontroll dhe në minutën e 40-të shënuan golin e parë me anë të Man.
Në pjesën e dytë Marin 51’ shënoi me penallti, ndërsa në minutën e 82-të ishte Dragus që mendoi për të kompletuar fitoren 3-0. Në minutën e 85-të Vojvoda u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë duke lënë skuadrën në inferioritet numerik. Ndeshjen e radhës përfaqësuesja e Kosovës do e luajë në transfertë më 9 shtator përballë Qipros dhe në rast të një tjetër rezultati negativ, Kosova mund të futet në një vorbull të rrezikshme. Sot është një nga skuadrat me moshën më të vogël në Ligën e Kombeve por idetë në këmbët e lojtarëve duken më shumë se të vjetra.
Nga Pirro Bardhyli