Kombëtarja që nuk përfaqëson historinë

Nëse ridëgjoni deklaratën e kapitenit Berat Gjimshiti pas ndeshjes me Anglinë, nuk i jep dot kuptim historisë. Berati që për emër ka atë të një qyteti që i ka rezistuar për 2400 vjet kohës, pushtimeve të ndryshme, dhunës dhe shkatërrimit, duket i kënaqur me ndeshjen e djemve që përfaqësoi në fushë. Ndoshta në mbremjen e Londrës, Gjimshiti do të bënte mirë të ngrinte flamurin e bardhë në një tjetër mënyrë sepse po të kthehemi sërish te historia, ajo tregon që në pjesën më të madhe të saj, shqiptarët nuk janë dorëzuar minimalisht pa e përplasur një herë kokën pas “murit” dhe këtë Kombëtarja nuk e bëri. Luanët e zbutur u treguan të mëshirshëm ndërsa shqiptarët falënderues e madje guximtarë për të thënë që në “Wembley” treguan forcë. Gënjeshër e madhe! Kombëtarja zbriti në fushë e dorëzuar pa asnjë kusht dhe kjo është një tradhëti e madhe ndaj njerëyze që besojnë te këto ngjyra.

Nga Pirro Bardhyli