Epo nuk mund të jesh gjithnjë në kulm, nuk mund të luash gjithnjë futboll “hevi metëll” (heavy metal), nuk mund të ketë “revolucion permanent”. Xhoshua Kimih ishte “revolucionari” i Bajernit në Moskën e Leninit, të Carit dhe të Putinit, por skuadra e tij nuk mund të mburret se shkëlqeu. Vetë kapiteni i ardhshëm bavarez e pranoi ndershmërisht këtë në intervistën për DAZN-in pas ndeshjes së javës së dytë të Championsit kundër Lokomotivës vendase.
“Ne nuk luajtëm ndeshjen tonë më të mirë, – tha ai, – le të marrim me vete fitoren, edhe pse e dimë se nuk ishim të shkëlqyer. Lokomotiva nuk luajti aspak keq, na vuri në vështirësi, por edhe vetë ne ishim në formë jo edhe aq të mirë. Duhej ta kishim vendosur ndeshjen më shpejt, dhe këtu fajtor jam edhe unë”. Kimihu 25-vjeçar e ka fjalën për rastin e humbur në minutën e 57-të, ndonëse ishte po aq që realizoi golin e fitores 2-1, me gjuajtje nga 20 metra larg në minutën e 79-të. Gorecka kaloi Bajernin në epërsi në 13’, por Anton Mirançuk barazoi në 70’. Bajerni ka 6 pikë në dy ndeshje në grup, ka 13 fitore radhazi në Champions, ndërsa Lokomotiva ka 1 pikë.
Sfidanti.al