Luajti mirë dhe u dallua në fitoren 2-0 ndaj Austrisë në Ligën e Kombeve, dhe kënaqi tifozët dhe shokët apo edhe drejtuesit (ndonëse ua ka prishur gjakun me kryengritjen për sponsorët). Kilian Mbape është tepër shpesh një yll në fushën e lojës dhe kështu bëri edhe në “Stad dë Frans” duke shënuar golin e parë, përpara sesa Zhiru të siguronte tri pikët, por gjithsesi sulmuesi i ri nuk e ka zakon t’ua kursejë të tjerëve shqetësimet. Pas ndeshjes, ai u shpreh në mënyrë disi tepër të pakujdesshme në një krahasim mes kombëtares dhe ekipit të klubit. “Këtu, në sistemin e Deshampit, kam më shumë liri, – tha ai, – mund të lëviz më lirshëm në hapësirat e fushës. Në Paris (PSG) është ndryshe”. A mund të cilësohet ky vetëm një konstatim apo ndoshta një paralajmërim për trajnerin Kristof Galtie, që duhet të përshtasë skemat edhe për Mesin e Nejmarin? Nuk jemi të qartë, por fjalët e Mbapesë krijuan menjëherë polemika, pra probleme.
Sfidanti.al