Juve, vërtet ia dole ndaj Xhenoas, por sërish nuk binde!

U desh rikthimi i Kristiano Ronaldos, jo për lojën e tij të shkëlqyer, por për aftësinë përpara portës. Me portugezin në formacion, me Dibalën pranë tij, por pa Higuainin, Pjaniçin e De Ligtin, formacioni i Mauricio Sarrit vuajti shumë ndaj Xhenoas, edhe pse ia doli 2-1 në Torino për Serinë A. U desh një karton i kuq për miqtë, që luajtën thuajse gjithë pjesën e dytë në inferioritet numerik, u desh edhe një penallti e fituar me dinakëri nga CR7-ta, që kampionët të merrnin 3 pikët, qoftë edhe duke mos bindur.

Natyrisht, juventinët ishin superiorë, duke bërë presion gjatë gjithë kohës, e duke krijuar disa raste, sidomos me Ronaldon apo Dibalën. Në këtë aspekt, suksesi ishte i merituar, por çfarë mund të ndodhte tjetër me një ekip që mban në stol Rabionë, Ramsejn e Dagllas Kostën, dhe që ka në fushë Kedirën apo Bernardeskin, edhe kur mungojnë Higuain, Pjaniç, Kielini e De Ligt. Kështu, Juventusi i Sarrit doli sërish në vend të parë, me 26 pikë ndaj 25 të Interit të Kontes. Java e 10-të ishte edhe ajo e fitoreve “të çmendura” të Romës në fushën e Udinezes, të Lacios ndaj Torinos, dhe të barazimit me polemika mes Napolit dhe Atalantës (2-2).

Java 10: Juventus-Xhenoa 2-1, Udineze-Roma, 0-4, Lacio-Torino 4-0, Napoli-Atalanta 2-2, Sasuolo-Fiorentina 1-2, Kaljari-Bolonja 3-2, Sampdoria-Leçe 1-1. Renditja: Juventus 26, Inter 25, Atalanta 21, Roma 19, Lacio 18, Napoli 18, Kaljari 18 etj.

Sfidanti.al