Jasir Asani “larg” Gwangju

Vetëm pak ditë më pare, “sallaksi” i kombëtares tone, Jasir Asani deklaroi se kishte mbyllur sezonin pas një dëmtimi që mori, duke mos qenë në dispozicion të skuadrës javën e fundit të kampionatit. Megjithatë mediat ishin të sigurta se ai mesazh ishte një sinjal lamtumire, me Asanin që e kishte mbyllur aventurën tek skuadra koreane. Për t’i dhënë akoma më shumë zë kësaj hipoteze ka menduar edhe eksperti i merkatos në Korenë e Jugut, Dario Focardi. Sipas tij, sulmuesi i Kombëtares shqiptare me shumë mundësi do të largohet nga ekipi aktual, teksa 3 klube janë në garë për shërbimet e tij. Jeonbuk në Korenë e Jugut, Vissel Kobe dhe Yokohama F.Marions në Japoni, janë skuadrat e interesuara për shërbimet e shqiptarit. Klubi i Gwangju kërkon që të shesë për të përfituar të ardhura dhe “mëngjarashi” nga Shkupi është gati të shitet. 1.5 miliardë won kërkon skuadra e Gwangju për shërbimet e shqiptarit. Një shifër kjo që përkthehet në 1 milionë euro. Pritet të shihet se ku do të vazhdojë karrierën Asani, me pistën “Europë” që për momentin nuk ekziston.

sfidanti.al