Fitoret e verës nuk sjellin trofe, ndonëse ndihmojnë për më shumë financa. Gjithsesi, kjo stinë e Interit të Milanos pritet të ketë një tjetër rëndësi për klubin zikaltër nga Italia. Një vit më parë, nën drejtimin e Roberto Mançinit, interistët pësuan katastrofë pas katastrofe: 1-6 Totenhemi, 1-4 Bajerni, 1-3 PSG, 1-2 CSKA Sofia, plus 3 humbje të tjera. Iku Mançini dhe erdhi De Buri, por dëmet e verës u ndjenë gjatë dimrit dhe zikaltërit e mbyllën për turp sezonin në Serinë A dhe në Ligën e Europës, edhe pse kishin skuadër me emra shumë të mirë.
Në stol, tashmë, është Luçiano Spaleti, dhe ndonëse nuk ka ndryshime të mëdha në transferime, Interi duket krejt tjetër. Pas barazimit me Shalken, erdhën fitoret ndaj Lionit, Bajernit dhe Çelsit. Më shumë lojë, më shumë përgatitje, më shumë rezultate, ndërsa Spaleti ka sjellë gjithë përvojën e tij të madhe, sidomos tek Roma. Tifozët interistë mund ta presin me optimizëm sezonin e ri.
Sfidanti.al