Natyrisht, merita nuk ishte vetëm e tij, madje më shumë mund të vlerësohet portieri Ospina me pritjet e tij (dhe me gabimin te goli), si dhe Lorenco Insinje në rolin e asistuesit. Gjithsesi, autori i golit që eleminoi Interin nga Kupa e Italisë ishte Dris Mertens. Ylli belg duhej të kishte shkuar tek zikaltërit, por vendosi të qendronte tek Napoli, dhe e festoi duke vendosur rekordin e golave. Ka 122 me fanelën napolitane, një më shumë sesa ish-kapiteni Marek Hamshik, ndërsa Diego Armando Maradona mbetet në vend të tretë.
Interi luajti më mirë, kaloi në avantazh që në minutën e 2-të, kur Eriksen shënoi që nga goditja e këndit, si dikur Bllazh Slishkoviç për Hajdukun në ish-Jugosllavi. Pati raste të shumtë me Lukakun, dy herë me Eriksenin, Kandrevën apo Sançezin, ndërsa skuadra vendase e Xhenaro Gatuzos u mbrojt fort, duke pasur në fushë edhe Elseid Hysajn. Një shqiptar, pra, do të kërkojë të fitojë Kupën e Italisë, me finalen që luhet të mërkurën në “Olimpiko” të Romës. Precedenti në 2012 është në favor të të kaltërve. Tradita në Kupë nuk ndryshoi, Interi gjithnjë është eleminuar kur ka humbur ndeshjen e parë gjysmëfinale në shtëpi, ndërsa Napoli gjithnjë është kualifikuar kur ka fituar ndeshjen e parë gjysmëfinale jashtë.
Sfidanti.al