Struga e Shpëtim Duros ka bërë një paraqitje fantastike, pasditen e kësaj të enjteje, teksa në në arenën “Trenin Centar Petar Milosevski” të Shkupit kanë mundur luksenburgasit e Hesperange, me rezultatin e thellë 3 me 1, në sfidën e parë të vlefshme për fazën e tretë kualifikuese të Ligës së Konferencës.
Sipari i golave u hap që në minutën e 23’-të të sfidës, ku “bomberi” Besart Ibraimi përfitoi nga një “gafë” e portierit të miqve duke e çuar topin në rrjetë. Mirëpo, pjesa e parë nuk do të mbaronte me kaq, pasi në mintutën e 40’ të sfidës sërish Ibraimi futet bukur në zonën luksenburgase ku më pas pengohet dhe arbitri akordon menjëherë një 11-metërsh e nga pika e bardhë e penalltisë, “veterani” nuk gabon, duke dyfishuar shifrat. Me nisjen e fraksionit të dytë të lojës u duk se skuadra e Hesperange u “zgjua”, teksa në minutën e 46’ të sfidës, anësori Ayongo jep bukur një pasim për “bomberin” gjerman, Dominik Stolsz, i cili përballë portierit Kjosevski nuk gabon, duke ngushtuar diferencën në 2 me 1, të paktën deri në minutën e 77’ të sfidës, ku pas një tjetër penalltie të fituar, Ibraimi plotëson “tre-golëshin” e tij fantastik me anë të një “panenke”, duke “vulosur” kështu rezultati në 3 me 1.
Me këtë fitore, Struga e tekniku Shpëtim Duro mund të thuhet me plot gojë, se është me “një këmbë” në fazën “play-off” të kualifikueseve të Ligës së Konferencës, megjithatë më shumë do të mësohet mbrëmjen e 17 gushtit ku këto dy ekipe do të përballen në “Stade de Luxembourg”, për të “vulosur” përfundimit diskutimet e kualifikimit.
sfidanti.al