“Federata Shqiptare e Futbollit organizoi këtë të martë në stadiumin “Air Albania” eventin e rëndësishëm të lançimit të Strategjisë së Qëndrueshmërisë “Ndërtimi i Urave Lidhëse përmes Futbollit”. Një strategji që paraqet planin e FSHF-së për të adresuar zgjidhjen e sfidave komplekse që mund të arrihen vetëm përmes bashkëpunimit me të gjithë aktorët në fushën e futbollit”.
Kjo është pjesa hyrëse e njoftimit zyrtar të shkruar nga zyra e shtypit në FSHF. Një përmbledhje e evenimentit të organizuar nga institucioni qëndror i futbollit shqiptar që mesa duket ka marrë petkun e sjelljes së UEFA-s me programe të pakuptueshme në letër dhe aspak në ndihmë të futbollit “hallexhi” në terren. Të tilla aktivitete të ngjajnë më shumë me ato fotot e rastit që bëjnë punonjësit e ndonjë shoqate për të drejtat e grave sa për t’u dukur te zyrat qëndrore në Bruksel apo Strasburg e për të arkëtuar fondet e pagat e tyre të majme. Çfarë do të thotë “Ndërtimi i Urave Lidhëse përmes Futbollit”? Cilën urë mund të ndërtojë futbolli në një kohë që ka shkatërruar edhe ato pak ura bashkëpunimi në aspektin social e njerëzor në fushat ku luhët nga Tropoja në Sarandë?
Në fund të ditës, të gjithë u larguan të lumtur nga evenimenti ndërkombëtar ku folën të gjithë, që nga presidenti i FSHF-së, Armand Duka e deri tek Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, Drejtuesi i Qëndrueshmërisë në UEFA, Michele Uva, Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, Përfaqësuesi i UN Ëoman në Shqipëri, Michele Ribotta dhe Koordinatorja e Përhershme e OKB-së për Shqipërinë, Fiona Mccluney. Të gjithë thanë fjalët që në këto raste i merr era por në fund të fundit arritën të shënojnë emrin edhe në evenimentin e radhës pa objektiva të qartë sepse fondet në të tilla raste nuk shkojnë kurrë për sportin apo çështjet sociale por për ata që në letër kanë të shënuar të njëjtin tekst, ndryshojnë thjesht orën dhe datën.
Nga Pirro Bardhyli