Një ndryshim historik po ndodh në botën e sportit profesionist italian, veçanërisht në futboll. Këshilli i Ministrave në Itali ka miratuar një dekret që lejon klubet të lidhin kontrata me lojtarët deri në 8 vite, duke zëvendësuar kufirin aktual prej 5 vitesh që ishte në fuqi prej më shumë se katër dekadash. Ky vendim, i përfshirë në nenin 11 të dekretit të ri për sportin, u jep mundësi klubeve të garantojnë stabilitet afatgjatë dhe të shpërndajnë kostot e amortizimit të kartonëve të lojtarëve në periudha më të gjata, çka lehtëson bilancet financiare. Megjithatë, rregullat e UEFA-s për Fair Play Financiar mbeten të pandryshuara, duke kufizuar amortizimin në maksimum 5 vite për llogaritjet kontabël. Ky kufi u vendos në vitin 2023, pas rasteve si Chelsea që nënshkroi kontrata shumëvjeçare për të shmangur ndikimin në llogaritë vjetore. Ndryshimi mund të ndikojë edhe në rregullat e FIFA-s mbi prishjen e kontratave. Sipas interpretimeve të para, mund të zgjatet periudha e mbrojtur nga 2 në 4 vite për lojtarët mbi 28 vjeç dhe nga 3 në 5 për ata nën këtë moshë. Ky zhvillim pritet të ndryshojë mënyrën se si klubet planifikojnë të ardhmen dhe menaxhojnë burimet e tyre, duke ofruar më shumë fleksibilitet dhe siguri në afate më të gjata.
sfidanti.al