Kampioni i Europës dhe një nga peshëngritësit më të suksesshëm të historisë së këtij sporti në vendin tonë, Erkand Qerimaj, hoqi “siguresën e bombës” që plasi në mesin e sportit më elitar të vendit tonë e tek i cili kanë sy e veshë gjithë shqiptarët për një medalje olimpike. Por çfarë kërkon Qerimaj nga Federata e Peshëngritjes? Pse ky shpërthim jo dhe aq i papritur? Ndaj kujt? Deklarata e shkodranit është e qartë, ai e drejton gishtin e akuzës ndaj njeriut që në 15 vitet e fundit ka marrë pafundësisht dhe i ka dhënë asgjë, e madje vetëm sa ka “droguar” sportin.
Elez Gjoza është shembulli tipik se si funksionon ky vend, ai është emri që gjendet aty në krye të punëve dhe vazhdon të abuzojë pa i hyrë gjemb në këmbë. Vite më parë komuniteti e akuzoi se mori me vete gjithë fisin në SHBA për botërorin e peshëngritjes por në avion nuk kishte vend për trajnerët dhe doktorët, ndërsa me këtë ves Elezi vizitoi pothuajse gjithë botën bashkë me familjen dhe askush nuk u kujtua ta kritikonte e jo më ta largonte me dhunë dhe arrogancen me të cilën ai trajton sportistët në kurrizin e të cilëve përfiton e përfiton pambarimisht.
Sikur të mos mjaftonin abuzimet, dopingu është çështja që si për ironi, e rehabiliton herë pas here Elezin. Sa më shumë sportistë të droguar zbulohen nën presidencën e tij, aq më i fortë bëhet edhe Gjoza. Tre vjet më parë, Elezi u rizgjodh duke u rikthyer në mënyrë spektakolare në krye të shtangës dhe në atë kohë, askush nuk guxoi të ngrinte zërin por të gjithë e dinin që Elezi i kërcimeve pindarike kishte mbështetjen e politikës për t’u rikthyer në stolin komod të sportit të cilin e la pasi Romela u betua mbi Kuran ndërsa Godelli mbylli karrierën mes turpit që Elezi ua imponoi. Sot Erkandi nuk ka thënë asgjë më pak apo më shumë se sa ajo që dimë për këtë personazh i cili mund të jetë i vërtetë vetëm në librat me përralla, por kurrsesi në realitetin e Shqipërisë tonë kaq të varfër në njerëz të përgjegjshëm dhe kaq të pasur në talente që nuk gjejnë asnjë derë të hapur por çdo herë që kërkojnë ndihmë gjejnë një “Elez” i cili do t’i shoqërojë në botëror duke i zënë vendin në avion edhe trajnerit.
Nga Pirro Bardhyli