Dikur shok skuadre me Ronaldon, sot punëtor në një kantier ndërtimi

Një ish-shoku i skuadrës së Cristiano Ronaldos është bërë viral pasi është parë duke punuar në një kantier ndërtimi. Çendrim Kameraj ishte te Juventusi dhe koha e tij atje përkoi me atë të yllit portugez. Kameraj, 26 vjeç, ishte një lojtar premtues ndërkombëtar i të rinjve si me Kosovën ashtu edhe me Zvicrën. Dhe shtatë vjet më parë ai stërvitej te gjigantët italianë së bashku me Ronaldon dhe Gianluigi Buffon. Karriera e tij u ndërpre pasi pësoi tre këputje të ligamenteve të kryqëzuara, të cilat e detyruan të transferohej në Kosovë. Kohët e fundit ai luante për ekipin e Superligës së Kosovës, KF Dukagjini.

Mbrojtësi tani e ka ndërruar fushën me kantierin e ndërtimit në kërkim të një karriere të re. Kameraj aktualisht punon për një agjenci rekrutimi për firmat e ndërtimit të quajtur ICM Bau AG. Ai shpesh duhet të vizitojë kantiere si pjesë e punës së tij dhe një foto e një udhëtimi tërhoqi vëmendjen e tifozëve të futbollit. “Jam mirënjohës për gjithçka që kam përjetuar në karrierën time. Do të ishte turp të hidhja poshtë të gjithë këtë njohuri dhe përvojë. U bëra baba, gjë që më ndryshoi përparësitë në jetë. Pas dy dëmtimeve të tilla, kuptova se nuk isha më i njëjti lojtar”, tha Kameraj.

Gjatë kohës së tij me Juventusin, ai ndau një fotografi të famshme të tij me Ronaldon, e cila është parë miliona herë. Ai këmbënguli se ish-ylli i Manchester United është “i thjeshtë” pavarësisht statusit të tij në futboll. Ai tha: “Me Cristianon, mund të kuptosh pse ai ia doli deri këtu. Disiplina dhe puna e tij e palodhur e dallojnë atë nga të gjithë të tjerët. Ai ishte gjithmonë shumë i thjeshtë dhe madje bënte shaka me mua. Të bën përshtypje kur Ronaldo të thërret me emër”.

sfidanti.al