Diego Kosta i lumtur që do ta takojë përsëri Zhoze Murinjon!

Do të jenë kundërshtarë ballë për ballë, ndërsa kanë qenë të tillë gjatë gjithë sezonit. Diego Kosta e Zhoze Murinjo më herë ishin krah më krah për të mirën e Çelsit, veçse sot sulmuesi braziliano-spanjoll e mban ende të veshur fanelën blu, kurse trajneri portugez ka ndërruar stolin e “Stemford Brixhit” me atë të “Old Trafordit”. Gjithsesi, Kosta e pret me kënaqësi takimin e së dielës me Zhozenë.

“Ndershmërisht, i them njerëzve gjithmonë se i jam borxhli Murinjos sepse ai më ndihmoi shumë, – tha ai për televizionin “Skaj”, – çdo lojtar ka dëshirë të përmirësohet dhe dëshiron të punojë me trajnerët më të mirë. Murinjo është një nga trajnerët më të mirë në botë”. Më tej Kosta vazhdoi duke thënë se “unë doja të vija tek Çelsi prej Murinjos, pasi ai kërkon shumë nga lojtarët, kërkon maksimumin”.

Sfidanti.al