Diçka e padëgjuar paska ndodhur, Stef Kërri ka festuar me të panjohur!

Një nga paradokset më të mëdhenj të sportit profesionist është se kampionët e mëdhenj të tij janë po aq të huaj për publikun sa edhe vaji me ujin. Njerëzit të cilët tifozët shkojnë t’i shohin dhe për të cilët shpenzojnë ato para që krijojnë jetesën përrallore të Xhejmsit, Mesit, Ronaldos apo Hamiltonit, nuk para përzien me “të zakonshmit”. Normale për ata që nuk thellohen më poshtë sesa sipërfaqja e fenomeneve, apo e atyre që nuk e vrasin trurin më shumë sesa çfarë do të bëjnë të nesërmen. Nuk është aspak normale për të gjithë ata që nuk duan të ndihen të varur nga këta kampionë, sikur të ishin të varur nga droga.

Njëri prej tyre, Stefën Kërri (për hir të së vërtetës, një nga sportistët më virtuozë në botë), pati një eksperiencë nga ato të pazakonshmet, madje ishte “ai vetë që e tha i pari”. Kërri kërkoi të merrte pjesë në një festë (party) në Ishullin e Rodit në SHBA (Rhode Island) së bashku me njerëz që nuk i njihte, por që padyshim e njihnin dhe mund të ishin tifozë të tillë. Mediat në Perëndim e dhanë këtë lajm sikur të kishte ndodhur ndonjë mrekulli e re fetare, ndërsa nuk harruan të justifikonin këta kampionë “të shkretë” që nuk përzien me popullin se mos u shpëton goja dhe u del, pikërisht në këto media, ndonjë histori që u prish imazhin.

Unë kujtoj kampionët tanë të dikurshëm që ishin “gju më gju me popullin” (mos, ju duket e dalë boje kjo shprehje?) Agim Fagu, Ela Tase, Asllan Rusi, Ilir Trebicka, Gazmend Çaçi, Fatmir Frashëri, Panajot Pano, Loro Boriçi, Refik Resmja, Ilir Përnaska, Petrit Dibra, Sokol Kushta, Vasil Ruci, Sulejman Demollari apo Arben Minga i paharruar e kishin gjënë më normale të takoheshin me punëtorë të thjeshtë apo punonjës më të kualifikuar, mes të cilëve punonin e jetonin, ndërsa paguheshin ndoshta pak më mirë se ata. Të gjithë këta emra ishin kampionë të mëdhenj, ashtu siç ishte rekordmenia e madhe olimpike, Larisa Latinina, që ishte Majkëll Felpsi i viteve 50-të e 60-të, pa pasur milionat e Felpsit të sotëm. Atëherë, çfarë fituan këta kampionë, ndërsa llogaritë e tyre bankare ishin si të gjithë të tjerëve? Ata fituan diçka që vlen më shumë se gjithë depozitat bankare të botës, respektin!

Sfidanti.al