Mund të quhet edhe më shumë dueli i Dejvid Bekamit, pasi mesfushori i shquar anglez luajti për të dyja skuadrat, dhe ishte një legjendë në “Old Traford”. Mediat britanike dhe ato italiane gjithsesi e vlerësuan më shumë si derbi i Zllatan Ibrahimoviçit, ndërsa Mançester Junajtidi u vu përballë Milanit në të tetat e finaleve të Ligës së Europës. Legjenda suedeze është ylli më i madh i kuqezinjve, ndërsa veshi edhe fanelën e “djajve të kuq”, pra është njeriu i momentit që përfaqëson këtë derbi.
Gjithsesi, është edhe një “copë historie” në futbollin europian, pasi dy skuadrat janë ndeshur disa herë në kupat kontinentale dhe Milani ka qenë fitues. Në 1958-1959 gjithçka nisi pas tragjedisë së Mynihut, kur pjesa më e madhe e lojtarëve të Junajtidit humbën jetën apo u gjymtuan, dhe në gjysmëfinale të Kupës së Kampionëve, rezultatet ishin 2-1 e 0-4 në favor të italianëve. Në 1968-1969, Junajtidi u vu përballë Milanit në gjysmëfinale të Kupës së Kampionëve, duke qenë kampion në fuqi i Europës. Sërish italianët kaluan me shifrat 2-0 e 0-1.
Në 2004-2005, Milani triumfoi në turin e dytë të Championsit, me dy fitore 1-0 e 1-0, duke arritur deri në finale ku u mund nga Liverpuli në Stambol. Në 2006-2007 dueli ishte në gjysmëfinale, po në Champions, me Mançester Junajtidit që fitoi me përmbysje 3-2 në “Old Traford”, por Milani i Ançelotit, me lojtarë si Dida, Kaka, Zedorf, Maldini, Nesta, Gatuzo, Pirlo, Kafu apo Inzagi triumfoi 3-0 dhe më pas fitoi finalen në Athinë ndaj Liverpulit.
Ndoshra skuadra e Ole Gunar Solskjerit mund të ketë një rast për të eleminuar për të herë parë “macen e zezë” në Europë, duke qenë mund të quhet në formë më të mirë se italianët, ndonëse tradita gjithnjë ndikon dhe Milani në fund të fundit është në vend të dytë në Serinë A.
Shorti i të tetave të finaleve
Ajaks-Jang Bojs, Dinamo Kiev-Vijarreal, Roma-Shahtar Donjeck, Olimpiakos-Arsenal, Dinamo Zagreb-Totenhem Hotspur, Mançester Junajtid-Milan, Sllavia e Pragës-Gllazgou Rejnxhërs, Granada-Molde.
Ndeshjet luhen në datat 11 e 18 mars.
Sfidanti.al