Javët e kaluara pati kritika për portugezin se dilte i mërzitur nga fusha e lojës, pa përshëndetur tifozët dhe dukej si “mish i huaj” në skuadrën e Mançester Junajtidit. Po ashtu, Kristiano Ronaldo thumbohej se shpesh ankohej për shokët që nuk i pasonin topin. Këtë herë, pas suksesit 1-0 në “Old Traford” ndaj Uest Hemit, CR7 ishte ndryshe, ai doli në Instagram duke “e lagur” fitoren e Premier Ligës që ndihmon për zonën Champions, veçse sërish nuk hoqi dorë nga zakoni. Sipas mediave angleze, portugezi mbeti i pakënaqur nga kapiteni Harri Megajer, që në një rast e spastroi topin pa adresë, ndërsa Kristiano i tha që ta kishte kontrolluar më mirë e të kishte nisur pasimin për të. Më vonë, u ankua për Mejzën Grinvudin që gjuajti vetë në portën e londinezëve dhe nuk i pasoi Ronaldos. Gjithsesi, shpresohet që ndryshimi për mirë të ketë filluar.
Sfidanti.al