Trajnerët përpara tij nuk donin aspak të hidhnin sytë nga stoli, sepse do të binin në dëshpërim. Edhe vetë Hans-Peter Brigel deklaroi me ftohtësinë më të madhe pas fitores 2-1 ndaj Greqisë kampione të Europës në 2004 se “ne kemi vetëm 14-15 lojtarë për formacion, ndërsa Greqia ka 40 apo 50”. Sot është ndryshe, dhe Edi Reja mund të cilësohet një teknik me fat. Kombëtares shqiptare i munguan në Islandë shumë futbollistë, që nga portieri Tomas Strakosha (Lacio e Fulham), Armando Broja (Çelsi), Myrto Uzuni (Granada), Keidi Bare (Espanjol) apo Qazim Laçi (Azhasio) apo edhe Rej Manaj (Specia), por sërish në stol ishin dy lojtarë të Serisë A si Kristjan Asllani e Nedim Bajrami, ishte edhe Këpuca e Artë e Bundesligës austriake, Xhakomo Vrioni. Në formacion ishin lojtarë të Serisë A si Berisha, Ismajli, Kumbulla, Gjimshiti, Veseli e Hysaj, lojtar i La Ligës si Balliu, ata të Superligës së Turqisë si Cikalleshi e Çekiçi. Kurrë më parë, kuqezinjtë nuk kanë pasur kaq alternativa, ndërsa Reja pavarësisht përvojës së madhe në Itali thuhet se është me “karton të verdhë” pas edicionit të kaluar në Kupën e Botës.
Sfidanti.al