Nëse ka ende vlerë shprehja e vjetër: “Mjafton të marrësh pjesë…”, atëherë ne e kemi një ngushëllim për rezultatet katastrofike të Kombëtares së femrave në basketboll. Në eleminatoret e “Euro 2017”, as që mund të bëhet fjalë për ndonjë lloj gare të vajzave që na përfaqësuan, ndaj kundërshtareve të tyre, madje niveli i kundërshtimit në parket ishte aq mjeran, saqë mund të mburremi vetëm me ndeshjen e djeshme me Britaninë e Madhe, të luajtur në “Asllan Rusi”, ku edhe humbja jonë ishte më “dinjitoze”, me vetëm 42 pikë diferencë.
Ndërkohë që rekordin e kemi po me britaniket, të cilat në ndeshjen e parë na mundën me një diferencë të frikshme (+86 pikë). Në fushatën zgjedhore para të Asamblesë së FSHB-së, drejtuesit e lartë të institucionit shpalosën një platformë fituese, sipas të cilës basketbolli do fillonte përmirësime me hapa galopantë, ndërkohë që ashtu siç kanë mbetur mjerane ambjentet ku stërviten dhe luajnë ndeshjet zyrtare skuadrat tona, edhe cilësia ka stopuar në të njëjtin nivel. Vetëm nëse kjo lloj pjesmarrje në këtë aktivitet kaq të rëndësishëm, konsiderohet progres…
Eleminatoret “Euro 2017”/ Rezultatet
Itali – Shqipëri 121 – 36 (+83 pikë)
Mali i Zi – Shqipëri 99 – 39 (+60 pikë)
Britani e Madhe – Shqipëri 122 – 36 (+86 pikë)
Shqipëri – Itali 40 – 86 (+46 pikë)
Shqipëri – Mali i Zi 56 – 114 (+58 pikë)
Shqipëri – Britani e Madhe 55 – 97 (+42 pikë)