Anglishtja e Levandovskit? “E përmirësoj në Premier Ligë”, thotë ai!

Duhen edhe pak ditë nga sfida vërtet intriguese Çelsi-Bajern, dhe në Angli lajmet nisin të marrin pak më shumë ngjyrë “bavareze”. Ndoshta, duhet thënë edhe “polake”, pasi heroi kryesor i klubit të Mynihut është Robert Levandovski dhe “Deili Meil” pati kujdesin dhe përpikmërinë për të prenotuar një intervistë në prag të fundjavës së fundit përpara duelit të Championsit.

Kjo ishte intervista e dytë e gjatë ekskluzive me sulmuesin 32-vjeçar, në 3 vjet, dhe gazetarët e tabloidit britanik me të drejtë theksuan se “përshtypja që patëm herën e parë, u përforcua tani”. Ndryshe nga shumë yje të nivelit të tij, apo edhe poshtë nivelit të tij, Levandovski është një njeri i thjeshtë. Tek ai, çuditërisht, nuk kanë ndikuar as 15 milionë eurot e rrogës që merr në vit tek Bajerni, as miliona të tjera nga sponsorët, dhe as fama e suksesi. Një tregues i qartë i karakterit dhe edukatës së tij, që mund ta quajmë tradicionale polake.

Përveç kësaj, e përditshmja angleze theksoi edhe humorin e yllit bavarez, që në intervistë fliste një anglishte shumë të mirë, por që kërkonte ndonjëherë falje për mungesën e përsosmërisë, ndërsa shtonte me një shikim dinak se “do ta përmirësoj anglishten kur të vij në Premier Ligë”. Nuk dihet nëse, Levandovski do ta kalojë ndonjëherë La Manshin, ai sot është 32 vjeç dhe bashkë me familjen është vendosur shumë mirë në Mynih. Tetë vjet më parë, Sër Aleks Fergusoni e kërkoi tek Mançester Junajtidi, por Dortmundi nuk e lejoi, ndërsa Bajerni nuk i lejoi Realin. Levandovski nuk ankohet për karrierën, por besohet se kërkontë fitojë Championsin, diçka që nuk ka arritur ta bëjë deri tani.

Sfidanti.al