Ishte një moment që na dëmtoi me të tepërt. Minuta e 77-të e ndeshjes Shqipëri-Poloni qëlloi fatale edhe për shpresat tona për kualifikim në finalet e Botërorit, por edhe për garantimin e sigurisë në “Arenën Air Albania”. Breshëria e shisheve të mbushura me ujë mbi kokat e lojtarëve polakë ishte sinjal alarmi për fatin e finales së Ligës së Konferencës, që i ishte dhënë Shqipërisë, por për fat kjo ndeshje nuk na u hoq. Gjithsesi, ky ka qenë një nga shqetësimet kryesore të UEFA-s dhe të Federatës lidhur me sfidën e së mërkurës, dhe premtimi është se janë marrë masa që situata të mos përsëritet.
Çfarë ndodhi në të vërtetë atë mbrëmje në stadium? Burime në kompaninë e sigurisë private, që ka kontratë me Federatën, informon për televizionin se në pushim të ndeshjes me polakët, një numër i madh tifozësh shqiptarë sulmuan pikat e shërbimit në tribunën jugore, pra dyqanet ku shitej uji me gota plastike. Tifozët morën një sasi të madhe shishesh dhe i përdorën më pas për të goditur lojtarët miq. Gjithsesi, në atë kohë pati raportime se veprimi kishte qenë i qëllimshëm me ndihmë nga jashtë dhe se u realizuan hetime nga organet kompetente, ndonëse nuk pati asnjë konfirmim nga Federata apo policia. Po ashtu, mjaft tifozë thonë se mund të blejnë fare lehtë ujë me shishe, madje pa ia hequr fare tapën. Kjo pritet të jetë një nga sfidat kryesore të sigurisë dhe besohet se rreth 600 roje të sigurisë private do të mjaftojnë edhe për të garantuar rregullin në tribuna, përveçse jashtë stadiumit.
Sfidanti.al