Weah e McKennie “injorojnë” ushqimin italian

Shpesh, kur dëgjohen lojtarë të huaj që flasin për Italinë nga një këndvështrim jashtë futbollit, nuk mungojnë elozhet për stilin e jetës dhe për vlerat e jashtëzakonshme që i bëjnë zili botës: nga monumentet që përcjellin histori, te bukuritë natyrore dhe peizazhet, nga klima e butë te moda – dhe më pas, sigurisht, te ushqimi. Vështirë të gjesh dikë që të thotë se ushqimi italian është i tmerrshëm, e megjithatë për dy futbollistët amerikanë të Juventusit, Timothy Weah dhe Weston McKennie, koncepti është shumë pranë këtij mendimi.

Dy lojtarët e gjithanshëm amerikanë u shprehën njëzëri mbi temën “kuzhina italiane” gjatë një loje pyetje-përgjigje – me pyetje të përgatitura më parë, të lexuara me radhë nga njëri te tjetri – e regjistruar para fillimit të Kupës së Botës për Klube (bianconerët tashmë të kualifikuar për në të tetat pas dy ndeshjeve) dhe e postuar nga Juventus në YouTube. Pyetja nga e cila nisi gjithë diskutimi u lexua nga Weah: “Më mirë një ‘barbecue’ amerikan apo biftek ‘alla fiorentina’ me mish Fassona?”. Natyrisht, asnjëri prej të dyve nuk mund të dinte që kjo e fundit është një variant i biftekut klasik “alla fiorentina”, i përgatitur me mish të racës Fassona nga Piemonte dhe jo me Chianina toskane si zakonisht, megjithatë, si Weah ashtu edhe McKennie e bënë të qartë – me shprehje dhe fjalë elokuente – se problemi nuk ishte ky, por mosvlerësimi i tyre për kuzhinën e Belpaese-s.

Weah e McKennie: mes biftekut italian dhe grillës amerikane, kjo e fundit fiton pa garë

“Barbecue amerikan, s’ka nevojë as të pyesësh!” – u përgjigj menjëherë McKennie. “Biftek ‘alla fiorentina’?”, – përsëriti Weah si për të theksuar absurditetin e krahasimit. “Po si? – vazhdoi McKennie, vërtet i hutuar nga vetë ideja – Duhet të kuptoni që ne jemi dy amerikanë, përse do të duhej të zgjidhnim diçka tjetër përveçse një grilla? A ekziston ndonjë gjë më e mirë se një barbecue amerikan? As që diskutohet. Ti thua që një biftek është më i mirë? (këtu iu drejtua dikujt jashtë kamere, ndoshta një italiani, red.) Është absurde”. “Çfarë është një biftek?”, pyeti në atë moment Weah. “As që e di se çfarë është, sinqerisht. Është thjesht një ‘steak’!”, ia ktheu McKennie.

Weah më pas u përmbajt nga të thënit gjëra të tjera më të forta, vetëm për të shmangur kritikat nga tifozët italianë: “Isha gati të thosha diçka të fortë, por nuk më pëlqen të hap debate. Çfarë doja të thosha? Asgjë… një opinion paksa kontravers, vazhdo përpara. S’do ta them, nuk dua të më kritikojnë. Nga kush? Nga italianët. Nëse doja të thosha që ushqimi italian është i tmerrshëm? Nuk doja të thosha që është i tmerrshëm, por thjesht që është ashtu-ashtu… pra, ka punë për të bërë? Po”.

“Problemi i ushqimit italian është se mungon shumëllojshmëria”

“Nuk ka shumë shumëllojshmëri, për këtë ke të drejtë – ndërhyri në atë moment McKennie – Pasta, pica, peshk, biftek. Dhe kudo që të shkosh, problemi me ushqimin italian është se është me cilësi shumë të lartë, vërtet fantastik, dhe ka disa gatime specifike që dini t’i bëni shumë mirë, por në Shtetet e Bashkuara, nëse shkoj në një fast food apo në një vend barbecue dhe më pas shkoj në një lokal tjetër të ngjashëm 10 minuta më larg, ndoshta ha sërish një hamburger, por ka një shije krejtësisht të ndryshme. Në Itali, shkoj në një restorant specifik dhe ndoshta ha pasta me pesto, por nëse e porosis në një vend tjetër aty afër, shija është e njëjtë. Në Itali mungon shumëllojshmëria, prandaj zgjedh ushqimin amerikan”.

Weah e mbylli krahasimin kulinar mes Italisë dhe Shteteve të Bashkuara duke e zgjeruar në të gjitha aspektet: “Çdo gjë që bëjmë ne amerikanët, sidoqoftë, është më e mirë”. “Është e vërtetë”, ishte fjalia përmbyllëse nga McKennie.

sfidanti.al