Karius e Leotta, si e jetojnë martesën në distancë

Loris Karius ndodhet në Gjermani, mes shtyllave të portës së Schalke 04. Diletta Leotta është në Itali, në Milano, ku ndan kohën mes studieve televizive, stadiumeve dhe përkujdesjes plot dashuri për vogëlushen Aria (vajza e lindur nga lidhja me portierin gjerman). Historia e tyre ka nisur në vitin 2022 dhe ish-portieri i Liverpool ka treguar se si funksionon dhe si e jetojnë martesën në distancë, dhe nëse popullariteti i madh i prezantueses (që ka gati 10 milion ndjekës në Instagram) përbën një problem për çiftin. “Paratë përfundojnë në arkën e familjes…”, thotë me buzëqeshje Karius, i cili me ironi lehtëson presionin ndaj të cilit është mësuar tashmë, me kusht që të respektohet një kufi i qartë. “Nëse njerëzit na afrohen me respekt, është ndryshe – do ishte e padrejtë të mos japim një autograf apo të mos bëjmë një foto. Ne u detyrohemi diçka fansave tanë, pa ta nuk do ishim askush dhe nuk do fitonim këto para”.

Popullariteti i Diletta Leotta: “Nuk është vetëm e bukur”

Si menaxhohet ndjesia e të qenurit gjithmonë nën vëzhgim për shkak të famës së madhe të bashkëshortes? Karius e shpjegon për gazetarin e Bild, i cili përpiqet të kuptojë si është të jesh pranë një gruaje që është njëkohësisht prezantuese sportive, modele dhe influencuese. Dhe, mbi të gjitha, si reagoi ai kur mësoi se rrugët e tyre do të ndaheshin përkohësisht, për shkak të kontratës me klubin nga Gelsenkirchen. “Të them të drejtën, madje më këshilloi ta zgjasja kontratën… ajo mendon se Schalke është zgjedhja e përkryer për karrierën time. Është e vështirë për mua sepse nuk mund ta shoh shpesh vajzën time, Aria. Përdorim FaceTime për të kapërcyer këtë distancë.”

Fama e paratë falë bashkëshortes: “Shkojnë në arkën e familjes”

Leotta është shumë e famshme, e ndjekur dhe shumë e kërkuar në televizion: a përbën kjo famë problem për Karius? Për ata që besojnë se kjo i prek vetëvlerësimin – për shkak të klisheve patriarkale sipas të cilave burri duhet të sjellë të ardhura në shtëpi – përgjigjja e tij është plot sarkazëm. “Diletta nuk është vetëm e bukur, por edhe me tru. Është një prezantuese shumë e vlerësuar në Itali dhe fiton edhe si modele. Nuk ndiej xhelozi për të, vetëm shumë krenari. Dhe pastaj, paratë përfundojnë në arkën e familjes…”.

Çfarë bëjnë me gjithë këto të ardhura? I diversifikojnë në investime dhe mendojnë për të ardhmen e vajzës së tyre, por pa hequr dorë nga kënaqësitë që u jep mirëqenia ekonomike. “Kemi blerë një apartament në Milano dhe shpenzojmë gjithmonë për mobilje të reja. Mendojmë për vajzën tonë, por gjithashtu bëjmë pazar apo planifikojmë udhëtime.”

Fëmija i dytë në planet: “Do ta donim, por nuk dimë kur”

Pyetja e fundit ka të bëjë me një prej kurioziteteve më të zakonshme të rubrikave rozë: kur do vijë në jetë fëmija i dytë? Karius nuk qëndron në mbrojtje dhe as nuk mundohet ta shmangë. Përkundrazi, del hapur. “Do të donim një fëmijë të dytë, por ende nuk dimë se kur”.

sfidanti.al