Agjenti i portierit italian ka folur së fundi për largimin e Donnarumma nga PSG, aventurën e tij te Manchester City dhe Botërorin 2026.
“Për të ishte një verë intensive, duke parë atë që ndodhi në Paris. Ndoshta një ditë do ta shpjegojnë se çfarë ndodhi në vlerësimin e tyre, sot po shijojmë gjithçka te City. Kur mbërriti Gigio situata u përmirësua në nivelin e rezultateve dhe tani ekipi është në garë me Arsenalin për kreun.
Në janar do të ketë shumë ndeshje, muajt e parë kanë shkuar mirë. Ai dhe klubi janë të kënaqur”, – ka thënë Enzo Raiola, agjenti dhe prokuratori sportiv për “Radio Sportiva”, duke folur për merkaton.
Për raportin me kombëtaren italiane, Raiola u shpreh: “Pas pak muajsh do të jetë një fazë delikate për Italinë, që ai e vlerëson shumë. Këtë verë Donnarumma donte të bënte dasmën, por e shtyu, sepse përpara është impenjimi me Italinë. Deshi të jetë i përqendruar dhe të mendojë vetëm për klubin dhe Italinë, pasi do me çdo kusht të shkojë në Botëror”.
Për marrëdhënien me Haaland, Raiola theksoi: “Nga dita e parë ka pasur një lidhje me të, më parë kanë qenë të dy në skuderinë tonë. Kishin një raport pune nga e njëjta agjenci. Pas vdekjes së Minos vazhdoi kjo lidhje. Janë dy djem të jashtëzakonshëm. Guardiola është një nga trajnerët më të mirë të futbollit modern. Është shumë i rëndësishëm menaxhimi i lojtarëve dhe ai ia del shumë mirë”.

