“Po të mos kishte pasur probleme me gruan e tij, Icardi do të ishte në një situatë krejtësisht tjetër”, tha Okan Buruk, drejtori teknik i Galatasarayt, duke hedhur dritë mbi marrëdhënien komplekse mes Mauro Icardit dhe Wanda Nara. Një marrëdhënie pasionante, por edhe konfliktuale, e cila ka vijuar të tërheqë vëmendje edhe pas ndarjes së tyre. Në aspektin sportiv, ish-kapiteni i Interit është ndalur nga një dëmtim serioz në ligamentin krociat dhe meniskun e gjurit, fatkeqësi që ka ndikuar në vazhdimësinë e karrierës së tij.
Okan Buruk, i cili ka synuar të ruajë qetësinë e Icardit gjatë këtyre muajve të vështirë, ka komentuar: “Respektoj gjithçka, martesën e tij, gruan e tij, por nëse Icardi nuk do të kishte pasur probleme me bashkëshorten, situata do të ishte krejt ndryshe. Ndoshta ai do të ishte sulmuesi kryesor i kombëtares argjentinase. Ka shumë gjëra që ndoshta Mauro i ka humbur për këtë arsye”.
Buruk theksoi edhe aspektet pozitive të jetës së Icardit: “Është një baba i shkëlqyer, e do shumë familjen dhe fëmijët e tij. Ka një zemër shumë të mirë dhe gjithmonë ka dashur të mbrojë familjen e tij. Ne gjithmonë e kemi mbështetur. Familja është gjëja më e rëndësishme në jetë. Futbolli nuk duhet ta lërë atë në plan të dytë. Nëse një lojtar nuk është i lumtur, nuk është e mundur të shfaqë performancë në fushë. Kam tentuar gjithmonë ta mbështes dhe shpresoj që ai të kthehet sa më shpejt”. Që nga transferimi i tij në Turqi, Mauro Icardi ka qenë një figurë qendrore në sulmin e Galatasarayt, duke fituar zemrat e tifozëve, përpara edhe se të mbërrinin lojtarë si Mertens apo Osimhen. Megjithatë, problemet jashtë fushës shpesh kanë ndikuar në performancën e tij. “Është e lehtë të kesh vështirësi me lojtarët e rëndësishëm”, pranoi Buruk. “Është më keq kur ka probleme me lojtarë që nuk janë të rëndësishëm. Kush luan është gjithmonë i lumtur, por nuk mund t’i bëjmë të lumtur të gjithë në të njëjtën kohë. Menaxhimi i një lojtari që nuk luan dhe harmonizimi me pjesën tjetër të ekipit është një sfidë më vete. Pavarësisht sfidave, mbështetja ndaj Icardit mbetet e fortë. Rikthimi i tij në formë pritet me padurim nga skuadra dhe tifozët”.
sfidanti.al